Hendboll, Rahoveci e Ferizaj të pandalshëm

Rahoveci ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll. Të shtunën mbrëma, Rahoveci luajti në shtëpi ndaj Prishtinës dhe fitoi me rezultat 37:32. Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e 22-të. “Vreshtarët” kanë vetëm fitore dhe udhëheqin në tabelë me 44 pikë.

Rahoveci është vlerësuar favorit, por Prishtina i ka ofruar rivalitet deri në fund. Prishtina mbetet me 18 pikë në pozitën e pestë. Dy ndeshje tjera të xhiros së 22-të u zhvilluan të dielën. Kastrioti e mposhti Trepçën në Mitrovicë me rezultat 50:28 dhe doli në vendin e tretë me 28 pikë. Trepça, që ka një ndeshje më pak të luajtur, ka rënë në pozitën e katërt me 26 pikë. Ndërkohë Besa Famgas ka fituar në Pejë ndaj Vushtrrisë me rezultat 38:21.

Kampionia në fuqi, Besa, është e dyta me 36 pikë. Te hendbollistet u luajt xhiroja e 14-të. Samadrexha e Ferizaj kanë luajtur derbi të vërtetë të shtunën mbrëma. Ndeshja u zhvillua në Samadrexhë. Ekipi vendas ka udhëhequr deri në minutat e fundit.

Por mysafiret nga Ferizaj bënë rikthim të madh për të fituar në fund me rezultat 34:33, pas fundit dramatik. Pjesa e parë kishte përfunduar 21:15 për Samadrexhën. Ferizaj ka fituar të gjitha 14 ndeshjet dhe udhëheqë në tabelë me 28 pikë. Istogu është i dyti me 26, ndërsa Samadrexha e treta me 20 pikë.

Go to TOP