Hetim penal ndaj zyrtarëve policorë në Gjakovë – IPK sekuestron prova në dy lokacione

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe me autorizim nga gjyqtari i procedurës paraprake, ka realizuar sot në orët e para të mëngjesit kontrolle në dy lokacione të ndryshme në regjionin e Gjakovës.

Kontrollet janë kryer në kuadër të një hetimi penal që po zhvillohet ndaj disa zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për përfshirje në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Gjatë këtij aksioni, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale që pritet të kenë rëndësi për procedurën hetimore. Deri në këtë fazë të hetimeve, katër zyrtarë policorë janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, në praninë e mbrojtësve të tyre ligjorë.

IPK dhe Prokuroria Themelore e Gjakovës kanë paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve të tjera procedurale në përputhje me mandatin dhe autorizimet ligjore.

Hetimet janë në vazhdim, ndërsa për masat e radhës dhe zhvillimet tjera, opinioni publik dhe mediat do të njoftohen në kohën e duhur. /Kosova.info/


Go to TOP