Hernandez drejt rikthimit në Itali? E kërkon Juventusi
Theo Hernandez mund të rikthehet së shpejti në futbollin italian, vetëm pak kohë pas transferimit të tij në Arabinë Saudite, ku aktualisht aktivizohet me Al-Hilal.
Sipas mediave italiane, Juventusi po shqyrton mundësinë e transferimit të ish-mbrojtësit të Milanit gjatë afatit kalimtar të verës.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari italian Carlo Pellegatti, i cili në kanalin e tij në “YouTube” ka deklaruar se ekzistojnë kontakte mes përfaqësuesve të lojtarit dhe klubit bardhezi.
Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt afatmesëm, me synim realizimin e marrëveshjes gjatë verës dhe jo në afatin kalimtar të janarit.
Juventusi thuhet se përbën një destinacion të pranueshëm për Theo Hernandez, i cili është i hapur për një rikthim në Evropë, pavarësisht kontratës aktuale në Arabinë Saudite.
Pengesë kryesore për realizimin e transferimit mbetet paga e lartë e lojtarit. Në Al-Hilal, Hernandez përfiton rreth 20 milionë euro në sezon, shifër që tejkalon mundësitë financiare të klubeve italiane.
Megjithatë, siç raportohet, lojtari është i gatshëm të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës për t’u rikthyer në futbollin evropian dhe për t’u angazhuar në një projekt sportiv konkurrues me Juventusin.
