Haziri: LDK drejt riorganizimit në Gjilan, kritika për mungesën e investimeve nga qeveria
Kryetari i LDK-së dega Gjilan, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me strukturat e degës së kësaj partie në Gjilan, me fokus në riorganizimin dhe ristrukturimin e brendshëm.
Sipas Hazirit, ky proces përfshin mobilizimin e nëndegëve, forumeve dhe komisioneve sektoriale, në përputhje me frymën e deklaratës së Kuvendit të 31 janarit. Ai theksoi se LDK-ja është më unike se kurrë dhe po punon për bashkimin e spektrit të djathtë politik, si dhe afrimin me qytetarët për të mbrojtur vlerat demokratike.
“Parimi i meritës, uniteti i brendshëm, hapja ndaj të rinjve dhe përfaqësimi qytetar janë thelbësore për krijimin e një fryme të përbashkët për familje dhe Republikë”, u shpreh Haziri.
Megjithatë, ai ngriti shqetësimin se Gjilan, si qendra më e madhe në rajonin e Anamoravës, po vazhdon të mbetet jashtë vëmendjes së qeverisë qendrore sa i përket investimeve.
Haziri shtoi se vetëm me rikthimin e LDK-së në udhëheqjen e qeverisë qendrore, do të mund të rikthehet edhe kujdesi institucional për investimet në këtë komunë. /Kosova.info/
