Haxhiu thotë se Thaçi e Veseli treguan mungesë respekti ndaj institucioneve pasi refuzuan takim me të

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar refuzimin e ftesës për vizitë në Hagë nga ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Haxhiu udhëtoi në Hagë para disa ditëve dhe u takua me të gjithë ata që po mbahen në paraburgim, përvec Thaçit dhe Veselit që refuzuan takimin.

Haxhiu thotë se ata treguan mosrespekt ndaj institucioneve të Kosovës.

“Ata nuk i kanë respektuar institucionet. Pse e kam bërë, këtë përgjigje më mirë do ta jepnin ata. S’kanë arsye ta bëjnë këtë. Ata duhet t’iu kërkojnë falje qytetarëve për dëmet që ia kanë shkaktuar. Ballafaqimet tona politike kanë qenë të shumta e të ndryshme. Problemin me Thaçin e Veselin e kam ende, ai është politik, s’ka të bëjë me luftën”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, liderët aktualë në Kosovë i përmendin më tepër krimet serbe në Kosovë, sesa Thaçi e Veseli sa ishin në pushtet.

“Sot nëse i keni parë, edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Konjufca, e kryeministri Kurti, në secilin takim i përmendin krimet e Serbisë. Ndërsa, ata kanë pasur diskutime që krimet e luftës të amnestohen”.

Duke folur për Gjykatën Speciale, ministrja Haxhiu deklaroi se është e shqetësuar nga puna e këtij institucioni.

“Gjykata Speciale s’e ka asnjë personel shqiptar që punon brenda saj dhe ne e kemi obligim si institucion që të kujdesemi në raport me të drejtat e atyre që po përballen me një proces. Jam e shqetësuar që Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara e ka vetëm një zyrtar ligjor. Kur ne e ngremë shqetësimin se a e keni trajtuar shkeljen e të drejtave të njeriut, na thuhet se është konfidenciale. Qasja është e çuditshme që e kemi parë nga ky takim”, tha Haxhiu.

Go to TOP