Haxhiu: Shërbimi Sprovues të ndihmojë në parandalimin e recidivizmit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar Zyrën Rajonale të Shërbimit Sprovues në Mitrovicë, ku u njoh nga afër me punën e zyrtarëve sprovues dhe pjesën tjetër të stafit, sidomos në mbikëqyrjen e dënimeve alternative.
Në një postim në ‘Facebook’, ministrja Haxhiu ka thënë se vlerëson punën e palodhshme të stafit duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve tjera për të siguruar që shërbimi sprovues të ofrojë mbështetje efektive dhe të ndihmojë në parandalimin e recidivizmit.
“Jam e përkushtuar që ministria të investojë në trajnime dhe burime të tjera që do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të këtij shërbimi, në mënyrë që të kontribuojmë në një shoqëri më të sigurt dhe të drejtë për të gjithë”, ka shkruar Haxhiu. /Kosova.info/