Haxhiu me kritika ndaj gjyqësorit për arratisjen e Enver Sekiraqës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që siç ka thënë kanë mundësuar arratisjen e Enver Sekiraqës.

“Dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri, deri në një aktvendim tjetër, kësisoj arratiset tërësisht. Kjo ndodhi edhe me Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vitesh për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Sipas saj, kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit.

“Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve. Caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mos ndryshimi i asaj mase, është skandal i madh. Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak. Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale”, tha ajo.

Duke shtuar se kjo gjë është tejet shqetësuese dhe do të duhej të shërbente si alarm jo vetëm për rastin specifik, por për të tilla raste në përgjithësi.

“Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze. Ky rast, përveç tjerash ngre dyshime edhe për përfshirje në korrupsion prandaj duhet të ketë një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që mundësuan këtë arratisje”, ka shkruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /Kosova.info/

Go to TOP