Haxhiu kërkon të jepen paratë e Trustit: S’janë para të “sekserëve të mafias energjetike”, por kursime të qytetarëve

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka reaguar Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza-Kusari-Lilës, e cila mbrëmë tha se s’ka shanca që të kalojë projektligji për tërheqjen e një pjesë të kursimeve nga Trusti.

Haxhiu ka thënë se paratë e Trustit s’janë as lojë bixhozi e “as para të “sekserëve të mafias energjetike” me i dergu “Martinqe” jashtë Kosovës përmes Serbisë në Mal të Zi, e prej atje në Slloveni”.

“Kërkesa e qytetarëve për të tërhequr deri në 30% të mjeteve nga Trusti, nuk duhet të trajtohet me inate politike.  Kjo temë, kjo kërkesë duhet të na bashkoj opozitë dhe pozitë për të ndihmuar qytetarët në krizën ekonomike aktuale. Parat e Trustit nuk janë lojë bixhozi “me shance”, por janë para të kursimeve të qytetareve dhe kërkesa e tyre është të marrin pak nga ato kursime për të përballuar krizën ekonomike. Ndonëse Mimoza Kusari-Lila ka përvojë në proceset e privatizimeve, nuk po besoj se ka arritur deri aty sa të privatizoj bindjet, vullnetin dhe votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje, ai ka drejtuar dy pyetje për Kusarin dhe Qeverinë. Ai ka pyetur ata se sa miliona të Trustit të qytetarëve, i ka shitur Qeveria në letra me vlerë dhe se a është kjo arsyeja e kundërshtimit të tërheqjes së këtyre mjeteve.

“Pytje për Mimozën dhe Qeverinë:  Sa para, miliona euro të Trustit të qytetarëve i ka shitur Qeveria në letra me vlerë? A është kjo arsyeja e vërtetë e kundërshtimit të  tërhqjes së mjeteve nga Trustit nga pushteti aktual? Trusti është i qytetarëve, jo i pushetarëve!”, ka shkruar Haxhiu.

Go to TOP