Haxhiu flet për më të rejat rreth rastit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zhdukja e mostrave të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari nga laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, kishte për qëllim dëmtimin e Qeverisë në raport me këtë rast.

E ftuar në emisionin “Këndi i Debatit”, ministrja Haxhiu tha se çështja tashmë është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria e sipas saj, kushdo që e ka bërë këtë ka bërë vepër penale.

“Kjo çështje është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria. Unë kam dhënë dëshminë time për këtë para pak ditëve, unë dhe zëvendësi im, për shkak se ne kemi qenë ata të cilët e kemi raportuar rastin në Prokurori sapo kemi marrë informatat nga zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Është një rast i paprecedent që ka ndodhur më lejoni t’ju njoftoj se është një gjendje e rëndë në Institutin e Mjekësisë Ligjore,  për shkak të raporteve ndërkolegiale, pra të stafit të Mjekësisë Ligjore. Unë nuk kam parë diçka të tillë asnjëherë në jetën time dhe përkundër reformave që ne i kemi nisur, është e pa mundshme të kemi sukses dhe këta e kanë bërë kushdo që e ka përdorur ka bërë shkelje, ka bërë vepër penale”, tha ajo.

Tutje Haxhiu tha se në laboratorin ku janë mbajtur mostrat e Deharit, kanë pasur qasje vetëm tre persona, teksa sipas saj, nëse rasti trajtohet me seriozitet shume lehtë mund të verifikohet se kush është personi që i ka zhdukur ato.

“Unë mendoj që qëllimi ka qenë përmes këtij rasti të na dëmtojnë edhe neve duke qenë se rasti Dehari është një nga rastet më të ndjeshme që ka pasur vëmendje shumë të gjerë të opinionit publik për t’u kuptuar e vërteta, dhe sigurisht që kërkesa për drejtësi është legjitime. Në vendin ku mbahen mostrat ne nuk kemi qasje aty kanë qasje vetëm tre persona. Tre persona kanë pasur qelsin dhe unë mendoj që nëse trajtohet seriozisht ky rast shumë lehtë mund të verifikohet se kush është personi që ka bërë një veprim të tillë”, tha ajo.

Por që sipas ministres Haxhiu, pavarësisht që mostrat janë zhdukur, kjo nuk mund të ndikojë në zbardhjen e rastit Dehari, sepse siç tha ajo raportet për ato mostra tashmë janë marrë dhe sipas saj, është vërtetuar se nuk ka pasur medikamente as në gjak e as në urinën e të ndjerit.

“Unë mendoj që ne për shkak të reformave përmes rregullores së brendshme të Institutit të Mjekësisë Ligjore që ne i kemi adresu në fakt është nënshkruar na ish-ministri i kalum zotëri Selimi, por që unë nuk kam pranuar që të fuqizohet sepse është një rregullore që parasheh një reformë për shkak të punës në lidhje me akreditimin e laboratorëve të IML-së që është shumë e rëndësishme që të akreditohet për shkak të ngritjes së vetëdijes në raport me veprimet e tyre që ka tash Ministria e Drejtësisë. Unë mendoj që atyre nuk po iu pëlqen kjo gjendje dhe për shkak të raporteve jo të mira që i kanë me njëri-tjetrin, kanë tentuar që përmes rastit Dehari të na dëmtojnë edhe neve, por edhe njëri-tjetrin që janë aty. Unë kam shpjeguar dhe kamë dhënë deklaratën time në Polici. Nuk përjashtoj unë asgjë, mirëpo po them që kushdo që e ka bërë qëllim ka pasë ta dëmtoj Qeverinë. Ajo çfarë unë kam kuptuar është që këto mostra nuk mund të ndikojnë në rastin penal sepse tashmë raportet për ato mostra pra gjak dhe urinë janë marrë është konstatuar që Astrit Dehari nuk ka pasur medikamente në gjak dhe urinë janë të njëjtat raporte sikurse edhe instituti zvicran që i ka dhënë. Pra janë të njëjta dhe nuk ndikojnë në rast, mirëpo kushdo që e ka bërë një krim të rëndë duhet të japë përgjegjësi”, tha tutje ajo.

Go to TOP