Haxhiu: Do e dërgojnë në Kushtetuese vendimin e Supremes

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu tha se do e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme, ku kjo e fundit e ka shfuqizuar një udhëzim administrativ të ministrit në detyrë, Hekuran Murati. Ky udhëzim është shpallur në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese. Haxhiu tha se ky udhëzim është nënshkruar me datë 15 prill, para se ta bënte betimin si deputet.

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare tha se vizita e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në Greqi është e rëndësishme dhe se opozita nuk ka dhënë sot sinjal se ka ndryshuar qëndrim.

Haxhiu: Nuk kemi pasur asnjë sinjal që opozita do të ndryshojë qëndrim

“Deputeti Kurti, ministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë i pranishëm në secilën seancë. Ndoshta kjo është e dyta seancë ku Kurti ka munguar dhe ne nuk kemi pasur asnjë sinjal që opozita do të ndryshojë qëndrim. Për sa kohë ne kemi opozitën që në vazhdimësi mban qëndrimin e njëjtë, nuk është në respektim të Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në kuptim që nuk po marrin pjesë në votim, atëherë ne nuk kemi pasur sinjale që situata do të ndryshojë. Prandaj, kryeministri Kurti do të jetë në seancën e ardhshme sigurisht që edhe pjesëmarrja e tij atje është e rëndësishme, është e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Sidomos kur po merr pjesë në një vend ku ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës. Prandaj, sikur të na jepte sinjale opozita që do të ndryshonte qëndrim, do ta kishim kryeministrin Kurtin. E pash që opozita sot e kërkonte kryeministrin Kurti duket që po e merr malli për të”, u shpreh ajo.

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku deklaroi sot se deri në fundjavë mund të ketë epilog pozitiv të arritjes së marrëveshjes mes Kurtit e Limajt.

Haxhiu tha se kanë vullnet për bashkëpunim dhe se do të ketë takime.

Haxhiu: Do të ketë takime mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit Limaj

“Ne kemi thënë që kemi vullnet për bashkëpunim, ato do të ndodhin, gjegjësisht do të ketë takime, të kryetarit, kryeministrit Kurti dhe me kryetarin Limaj dhe natyrisht që pas këtyre takimeve, pas përmbylljes së atyre takimeve do të ketë njoftim për opinionin publik përmes mediave në raport nëse do të ketë marrëveshje ose jo. Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është i qartë, Vetëvendosje ka theksuar që i takon propozimi për kryeparlamentar gjegjësisht me Kushtetutën dhe dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi dëgjuar edhe deklaratat e përfaqësuesve nga subjekti politik Nisma, megjithatë meqë ka takime duhet të presim këto takime që të ndodhin dhe ju njoftojmë pastaj për detaje për gjitha këto çështje”, tha ajo.

Pas dështimit të përpjekjes së dyzet e tetë për konstituim të kuvendit, Haxhiu tha se do të vazhdojnë të mbajnë mbledhje të qeverisë, derisa ka komentuar edhe vendimin e Supremes për udhëzimin administrativ të ministrit në detyrë, Hekuran Murati.

Haxhiu: Udhëzimi është nënshkruar me 15 prill, dy-tri ditë para se Murati të jepte betimin si deputet

“Thuhet që nuk ka të drejtë ministri në detyrë të nxjerr udhëzime administrative, por edhe të mos ishte kështu betimin ministri Murati e ka bërë me 19 prill. Udhëzimi është nënshkruar me 15 prill, janë dy-tri ditë përpara, gjegjësisht nëse nuk e numërojmë këtë 15 prillin. Prandaj, është situatë komplet e paqartë sepse Gjykata Supreme ka shtuar diçka që nuk ekziston në Ligjin për Qeverinë. Nene tjera të cilat edhe po flasin vlejnë për situata tjera kur konstituohet kuvendi, kur votohet qeveria, natyrisht që nëse ministri Murati do të jetë sërish ministër, sepse për këtë nuk kemi vendosur dhe mos më keq citoni ju lutem por ende nuk janë caktuar emrat për ministra në kabinetin e ardhshëm, atëherë natyrisht që s’do të jetë më deputet. Sepse i pushon mandati me automatizëm prej deputeti”, deklaroi ajo.

Ajo paralajmëroi se do e dërgojnë në Kushtetuese vendimin e Supremes për shfuqizim të këtij udhëzimi administrativ.

Haxhiu: Ne do ta ankimojmë këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese

“Prandaj ne do ta ankimojmë këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, sa më shpejt, ne jemi duke punuar për këtë. Argumente kemi të mjaftueshme. Prandaj, besojmë që sa më shpejt përmes avokaturës shtetërore do të bëhet ankimimi i këtij vendimi”, përfundoi ajo. 

Go to TOP