Havolli: Tre muaj punimet të bllokuara – Komuna e Prishtinës pret lirimin e mjeteve për të rifilluar projektin nga Veterniku në rrugën “B”
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka bërë të ditur se punimet në një nga projektet kyçe infrastrukturore të kryeqytetit kanë qëndruar të bllokuara për tre muaj rresht, për shkak të ndalimit të mjeteve financiare që i është bërë komunës.
Ai tha se projekti që lidh Veternikun me rrugën “B” dhe që shërben si një arterie e rëndësishme për lagjet Bregu i Diellit, Mati 1 e 2, Muharrem Fejza, Velania dhe fshatin Zllatar, është lënë pezull pavarësisht rëndësisë së tij për qarkullimin dhe lehtësimin e trafikut.
“Për tre muaj nuk është kryer asnjë punë këtu. Kjo për shkak të bllokadës së mjeteve që i është bërë Komunës së Prishtinës”, theksoi Havolli nga terreni ku pritet të vazhdojnë punimet.
Ai shtoi se segmenti i rrugës që lidh Veternikun me rrugën “B” përshkohet për rreth pesë minuta dhe ka rol të madh në lëvizjen e banorëve të zonave përreth.
“Tash jemi në pritje të realizimit të pagesave që menjëherë pas lirimit të bllokadave t’i kthehemi punës”, deklaroi ai duke nënvizuar se komuna është e gatshme të vazhdojë menjëherë me ndërtimin sapo të zgjidhet çështja financiare.
Ky projekt konsiderohet një ndër investimet e rëndësishme të infrastrukturës rrugore për Prishtinën, me ndikim të drejtpërdrejtë në qarkullimin brenda lagjeve më të populluara të kryeqytetit. /Kosova.info/
