Hasani: Heqja e masës për mallrat serbe, hap i mirë

Nora Hasani, drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, në ‘Ekonomiks’ ka folur për Forumin Ekonomik Gjermani-Kosovë, për ecurinë e këtij forumi, si dhe për heqjen e masës së sigurisë për mallrat serbe, nga kufizimi i plotë në kontroll të shtuar, deri në sigurimin e skanerëve të avancuar.

Për rrjedhën e këtij takimi, si dhe për vendimin e qeverisë për ndryshimin e masës së sigurisë për mallrat serbe, Nora Hasani, drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, tha se është mirë që kjo kas ndodhur, marrë parasysh se nesër është takimi i radhës i CEFTA-s, si dhe samiti i Procesit të Berlinit, që mbahet në javën e ardhshme. Ajo shtoi se një kërkesë të tillë ishte parashtruar edhe nga vetë OEGJK te qeveria.

Hasani ka folur për rezultatet e forumit të dytë ekonomik.

“Kisha për të thënë që heqja e masës së sigurisë ka qenë tema kryesore, edhe pse e dimë që ka pasur bisedime paraprake të shumta, mirëpo folësi kryesor në forumin tonë ka qenë vet emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, i cili edhe aty e ka potencuar se sa është e rëndësishme heqja e kësaj mase të sigurisë, që të vazhdojmë tutje e të jemi partnerë aktiv në Procesin e Berlinit, i cili sivjet shënon dhjetëvjetorin e themelimit”, tha Hasani.

Lidhur me ecurinë e forumit, Hasani tha se ishin pjesëmarrës mbi 500 persona.

“Jemi të entuziazmuar me atë masë të madhe njerëzish, kanë qenë mbi 500 pjesëmarrës, kjo shihet edhe prej pamjeve që RTK ka marrë, kemi arritur që në këtë forum të adresojmë vështirësitë, gjeopolitike dhe ato t’i zbërthejmë në rrafsh bilateral, ku kanë diskutuar ekspertë vendorë, por edhe ata gjermanë, jo vetëm të fushës ekonomike, e që është trajtuar edhe bashkëpunimi edhe politik, ku  janë ofruar zgjidhje në tri programe të ndryshme paralele që janë mbajtur në të njëjtën kohë”, theksoi ajo.

Në kuadër të këtij forumi ka pasur edhe vizita të ndryshme nga afaristë gjermanë, ku ishin rreth 100 sish, pa numëruar afaristë, pjesë e OEGJK-së,  të cilët kanë parë potencialin ekonomik zhvillimor në Kosovë.

Tutje, Hasani bëri të ditur takimin e afaristëve gjermanë me përfaqësuesit e Doganës dhe të ATK-së, prej të cilëve janë njoftuar për sistemin qoftë atij doganor, qoftë atij tatimor.

Sipas saj, temë e rëndësishme për investitorët gjermanë ka qenë edhe Ligji i Punës, pra fuqia punëtore.

Go to TOP