Haradinaj zbulon se çka bisedoi me Radoiçiqin të cilin e sanksionoi Amerika

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se sanksionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vendosën ndaj disa personave për krim të organizuar në veri të Kosovës janë shumë të rëndësishme, pasi ato parandalojnë destabilizimin e Ballkanit.

Haradinaj foli edhe për takimin me Milan Rodoiçiqin, i cili është në listën e personave ndaj të cilëve u vunë sanksione.Haradinaj tha se me të ishte takuar në kontekst të arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me Listën Serbe dhe se që nga viti 2018 nuk ka pasur kontakt me të.

“Është e vërtetë që jam takuar më Radoiçiqin, është e dokumentuar, e kam takuar në kohën e negocimit për marrëveshje të qeverisjes me Listën Serbe dhe në një kohë të bashkëqeverisjes me Listën Serbe, derisa u vendos taksa, e pastaj taksa na largoi me Listën Serbe për fat të keq, pasi ne nuk kemi pasur interesim me i prish marrëdhëniet me Listën Serbe, kuptohet pasuan edhe veprimet e tjera si Trepça dhe kulmoi me ushtrinë dhe na i përkeqësoi mjaftueshëm marrëdhëniet me Listën Serbe dhe me të gjithë, pastaj pasoi edhe një aktakuzë me sa e di unë për zotin Radoiçiq, kështu i bie që nga 2018 s’kam pasur komunikim me zotin Radoiçiq”, tha Haradinaj në Rubikon.

Haradinaj tutje tha se në kohën kur është takuar me Radoiçiq nuk i ka pasur informatat që i ka tash.

“Nuk kam pasur informata kush është kush, nuk i kam njohur aq mirë, informatat që i kemi ne sot dallojnë nga ato që i kemi pasur para vrasjes së zotit Ivanoviq, ose para krijimit të qeverisë, se nuk ka qenë kështu, nuk kemi pasur kualifikime ligjore për askënd prej tyre, që i bije se nuk duhet t’i paragjykojmë edhe sot, edhe sot mund të ndodhë që dikë që e takojmë, jo vetëm serbët edhe shqiptarët që i takojmë unë ose dikush mund të rezultojë, pra nuk paragjykojmë ku përfundon dikush, ne kemi një mision që na e ka dhënë kushtetuta dhe misioni ynë është tu japim serbëve të Kosovës besimin që t’i besojnë Prishtinës, udhëheqësve të Kosovës dhe të mos i paragjykojnë kosovarët, nëse unë ose UÇK-ja ka luftuar dje sot dëshirojmë t’i integrojmë ata, jo tu ndodhë atyre ajo që ka ndodhur neve në kohën e Millosheviqit”, tha Haradinaj.

Go to TOP