Haradinaj: Do të stimulojmë inovacion në çdo sektor të ekonomisë

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK – Nisma – Konservatorët – E30, Ramush Haradinaj, është zotuar se do të krijojnë mjedis që stimulon inovacionin dhe adopton teknologji të reja në çdo sektor të ekonomisë.

Ish-kryeministri Haradinaj, gjatë vizitës që i ka bërë kompanisë “Osa Termosistem”, ka thënë se cilësia e produkteve tona e aftë për të konkurruar në arenën ndërkombëtare.

“Kompania “Osa Termosistem” është shembulli i shkëlqyer i asaj që Kosova mund të arrijë. Me pjesën dërmuese të prodhimit të eksportuar jashtë vendit, kjo kompani dëshmon cilësinë e lartë të produkteve tona dhe aftësinë për të konkurruar në arenën ndërkombëtare. Suksesi i “Osa Termosistem” nuk është rastësi, por rezultat i punës së palodhur dhe vizionit të qartë. Ky sukses përforcon bindjen tonë se e ardhmja e Kosovës qëndron në një ekonomi të fortë, të mbështetur në prodhimin vendor cilësor dhe eksportet e qëndrueshme. Programi ynë ekonomik është hartuar për të nxitur më shumë histori suksesi si kjo”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se angazhihet për një mjedis që stimulon inovacionin dhe adopton teknologji të reja në çdo sektor të ekonomisë.

“Ne angazhohemi të krijojmë një mjedis që stimulon inovacionin dhe adopton teknologji të reja në çdo sektor të ekonomisë. Kjo do të rrisë produktivitetin, do të zgjerojë mundësitë e punësimit dhe do të sigurojë që gjithnjë e më shumë biznese kosovare të ndjekin shembullin e “Osa Termosistem”. Së bashku, do të ndërtojmë një Kosovë që prodhon, eksporton dhe përparon”, është shprehur Haradinaj. /Kosova.info/

Go to TOP