Hamza: E përjetoj shqetësimin e të prekurve me kancer
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza në muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit ka folur për një përvojë të tij familjare. Ai në Facebook ka shkruar se sa herë që flitet për sëmundjen e kancerit të gjirit i përjeton bashkë me të prekurit dhe familjet e tyre.
Hamza ka treguar se si motra e tij është prekur nga kjo sëmundje dhe e ka fituar këtë betejë.
“Sa herë që flitet për sëmundjen e kancerit të gjirit, unë dëgjoj dhe përjetoj bashkë me të prekurit dhe familjet e tyre. E përjetoj shqetësimin e tyre kur cingëron telefoni, sepse si familje jemi përballur me këtë sëmundje. I përjetoj pritjet në korridoret e spitaleve, pritjet e daljes së rezultateve. Por, e përjetoj edhe kurajon për të mos u dorëzuar edhe kur gjithçka duket e vështirë dhe e pamundur. Fatmirësisht, as motra ime kurrë nuk është dorëzuar dhe tashmë e ka fituar betejën me kancerin e gjirit”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Hamza tregoi se gjatë një konference me temën “Të mbijetuarat e kancerit më të Fuqizuara dhe të Zëshme”, ju bëri thirrje të prekurave nga kanceri i gjirit që të mos dorëzohen asnjëherë. /Kosova.info/