Halimi për raportet e ftohta Osmani-Rama: Inatet janë mesazh i keq, Kosova s’e ka luksin të përçahet me Shqipërinë

Sibel Halimi, që është edhe zëdhënëse e LDK-së, në profilin e saj në Facebook, ka thënë se Kosova nuk e ka luksin për t’u përçarë me Shqipërinë.

Pas raportimeve për raporte të ftohta të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Edi Rama në samitin SEECP, që po mbahet në Selanik të Greqisë, Halimi ka vlerësuar se dy shtetet kanë nevojë për bashkëpunim të ndërsjellë dhe ndihmë reciproke.

“Kosova nuk e ka luksin për t’u përçarë me Shqipërinë, si asnjë herë më parë në demokraci. Ne kemi nevojë për bashkëpunim të ndërsjellë dhe ndihmë reciproke. Faktori politik në vend duhet të mendojë jo vetëm për strategji të posaçme për kultivimin e këtij bashkëpunimi, por edhe të detajeve, si prezantimi i përfaqësuesve të dyja vendeve, në paraqitje vizuale”, ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se inatet ndërpersonale janë mesazh i keq.

“Në të kundërtën, shenja inatesh ndërpersonale janë mesazh i keq për ne. Qytetarët e Kosovës meritojnë lidership që manifeston urtësi e tolerancë si dhe dashuri në një marrëdhënie interesash kompatibile ndërmjet dy shteteve. Liderë me kurriz të kthyer nga njëri tjetri – kjo nuk duhet të jetë fotografia jonë!”, ka shkruar Halimi.

Go to TOP