Hajra, e pse e çka Prizreni?!
Shkruan: Ismet KRYEZIU
Në një vend si Kosova, ku qytetet janë më afër njëri-tjetrit sesa lagjet në metropolet e botës, është jo serioze, madje më duket paksa provinciale, të gjykohet një kandidat për kryetar të Prishtinës vetëm për shkak të vendlindjes. Besoj unë, se një logjikë e tillë është përjashtuese dhe jo demokratike.
Nëse dikush ka jetuar, punuar dhe kontribuar në Prishtinë për më shumë se 20 vjet, ai është po aq pjesë e këtij qyteti sa kushdo tjetër që ka lindur këtu. E Hajrullah Çeku, më sa di unë, jeton me familje dhe punon në Prishtinë prej më shumë se dy dekadash. Qyteti nuk është pronë trashëguese, por bashkësi që ndërtohet përditë nga ata që angazhohen për të, në jetën publike, sociale dhe institucionale.
Nuk dua të mbështes apo të kundërshtoj kandidaturën e tij, por çdo kandidat, përfshirë edhe Hajrullah Çekun, duhet të vlerësohet për idetë, ofertën dhe integritetin që sjell për Prishtinën, e jo për prejardhjen apo vendlindjen.
