Dëmi kritikon Vetëvendosjen: Po kërkon vota të reja pa funksionalizuar ato që tashmë i mori

Agron Dëmi nga Instituti GAP ka shprehur kritika të ashpra ndaj partive politike në vend, me theks të veçantë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me mungesën e funksionalizimit të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit të mbajtura vetëm katër muaj më parë.

Dëmi pyet se si është e mundur që partitë politike, e sidomos Vetëvendosje si forca fituese, po dalin sërish për të kërkuar vota në zgjedhjet lokale, kur ende nuk janë përmbushur detyrimet e tyre në nivelin qendror.

“Qysh munden me dalë partitë me kërku vota sërish, sidomos VV e cila ka shumicën, kur votat që i morën para 4 muajve ende nuk po i fusin në punë duke i themelu institucionet?!”, pyet Dëmi në një reagim të publikuar sot.

Sipas tij, qytetarët janë të lodhur nga zgjedhjet që nuk po prodhojnë funksionalitet institucional dhe po shndërrohen vetëm në mjet për të bllokuar njëri-tjetrin, me koston që bie mbi taksapaguesit.

Dëmi shton se Lëvizja Vetëvendosje po dëshmon çdo ditë se nuk është në gjendje të funksionojë në një sistem demokratik dhe përfaqësues, dhe për këtë arsye, sipas tij, nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë sërish mbështetje elektorale pa ofruar më parë një zgjidhje të krizës në nivel qendror.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur vendi po përgatitet për zgjedhje të pjesshme lokale në disa komuna, ndërsa bllokada politike në nivelin qendror vijon të jetë temë qendrore e debatit publik. /Kosova.info/


Go to TOP