Hajnat bëjnë kërdi në lagjen Qëndresa, ‘avullojnë’ mbi 17 mijë euro para dhe gjësende me vlerë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Shpeshherë cak i hajnave janë shtëpitë nëpër fshatra e qytete, por së fundmi ata ia kanë mësyrë edhe lagjeve luksoze në Prishtinë dhe përreth kryeqytetit.

Rasti i fundit ka ndodhur në lagjen Qëndresa në Veternik, ku hajnat kanë bërë kërdi në një shtëpi.
Të dyshuarit arritën të marrin mijëra euro para të gatshme, stoli të arit, pajisje teknologjike, e gjësende me vlerë nga shtëpia e një qytetari që banon në këtë lagje. Rasti u denoncua të hënën në Polici.

Nga Prokuroria kanë bërë me dije se hajnat kanë arritur të depërtojnë me forcë shtëpisë, prej ku kanë vjedhur mbi 17 mijë euro dhe gjësende, e më pas janë larguar pa lënë shumë gjurmë. Gjithçka dyshohet se ndodhi brenda pak minutave, në orët e mbrëmjes.

Go to TOP