Hajdar Beqa kërkon tri dorëheqje lidhur me aferën GEN
Fushata e Albin Kurtit dyshohet të jetë financuar nga paratë e kompanisë GEN, në filialin e të cilës në Tiranë u derdhen gjithsej 14 milionë euro.
Dyshimet i ka ngritur gazeta e njohur sllovene “Prava”. Aty raportohet edhe për lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt me kompaninë sllovene GEN-I.
Sipas gazetës “Prava”, dyshohet se ambasadori Berisha është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt që mban emrin “MB Consulting”. Madje, aty theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr 600 mijë euro para të thata (cash) në vitet 2019 dhe 2020.
Opozita në Kosovë konsideron se kjo është afera më e madhe korruptive në të cilën janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë.
Andaj deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa thotë se Kurti bashkë me Martin Berishajn duhet të japin dorëheqje nga postet e tyre.
“Pas të gjitha aferave, është e pakuptimë mosdorëheqja. e z.Berishaj. Duhet të japë dorëheqje edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe kryeministri i Kosovës”.
Beqa hedh dyshime se Kurti mund të jetë i shantazhuar nga Berishaj.
“Opozita në sesionin e ri duhet të veprojë sepse po humb imazhi i Kosovës me këtë përfaqësim. Do të flasim për veprimet në Kuvend kur të vjen koha”, theksoi Beqa.
