Hadergjonaj nga Kosharja: Idealet e heronjve janë obligim i përhershëm për një Kosovë të drejtë dhe të sigurt
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-komandant në Betejën e Koshares, Fadil Hadergjonaj Bjeshka, ka vizituar më 1 janar 2026 Kompleksin Memorial në Koshare duke e cilësuar këtë vend si të shenjtë për historinë dhe lirinë e Kosovës.
Siç ka theksuar Hadergjonaj, çdo fillim viti në Koshare është një moment reflektimi dhe frymëzimi, aty ku prehen ata që me gjakun dhe sakrificën e tyre vulosën lirinë dhe idealin e bashkimit kombëtar. Sipas tij, kjo vizitë rikujton përgjegjësinë e përhershme për të punuar pa u ndalur që idealet e heronjve të mos devijohen, por të çohen përpara me dinjitet dhe përkushtim.
Ai ka theksuar nevojën për ndërtimin e një shteti ku çdo qytetar gëzon siguri, liri dhe mirëqenie, ku sundon rendi dhe ligji, dhe ku Kosova është e integruar në të gjitha mekanizmat dhe iniciativat ndërkombëtare, me autoritet dhe ndikim pozitiv në zhvillimet rajonale e më gjerë.
Në mesazhin e tij, Hadergjonaj ka nënvizuar se Kosova duhet të jetë një vend ku qytetari është “pronari” dhe “korrigjuesi” i çdo zhvillimi institucional dhe shoqëror.
“Kur e nisim vitin pranë tyre, marrim frymëzim dhe obligim që të jemi më të përgjegjshëm dhe më llogaridhënës, në çdo veprim dhe në çdo kohë”, ka deklaruar Hadergjonaj.
Në fund, ai ka nderuar të rënët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka shprehur respekt për invalidët dhe luftëtarët e lirisë duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Lavdi të rënëve! Respekt invalidëve dhe luftëtarëve të lirisë!”. /Kosova.info/
