Hadergjonaj: Me nderime ushtarake i dhamë lamtumirën e fundit Mehmet Bojkajt, burrit të madh të Deçanit dhe Kosovës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gjeneral Fadil Hadergjonaj – Bjeshka, ka reaguar pas ceremonisë madhështore të varrimit të Mehmet Bojkajt, ku morën pjesë mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova, përfaqësues institucionalë, politikë, veteranë të luftës dhe përfaqësues të bashkësive fetare.
Në një ceremoni të nderuar me protokoll ushtarak, u dha lamtumira e fundit pedagogut, drejtuesit politik e ushtarak, kryetarit të parë të Komunës së Deçanit të zgjedhur me votë të lirë dhe kryetarit të nderit të LDK-së në Degën e Deçanit, Mehmet Bojkaj.
Hadergjonaj e përshkroi Bojkajn si një personalitet të rrallë, të pajisur me tipare të thella tradicionale e intelektuale, një njeri të urtë, vizionar, të vendosur dhe të fisnikërimit të lartë moral. Sipas tij, Bojkaj ishte një veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, si në periudhën e luftës, ashtu edhe në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.
“Me pjesëmarrje të jashtëzakonshme i dhamë lamtumirën burrit të madh të Isniqit, Deçanit dhe mbarë Kosovës. Ai ishte njeri që punoi, luftoi dhe shërbeu me përkushtim deri në fund,” u shpreh Hadergjonaj.
Deputeti i LDK-së shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjen Bojkaj, bashkëveprimtarët dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.
“U prehtë në paqe! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij,” përmbylli ai.
Mehmet Bojkaj mbetet një figurë e nderuar e rezistencës, arsimit, institucionalizmit dhe traditave të Dukagjinit, me kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin e komunës së Deçanit pas luftës dhe në rrugëtimin e LDK-së. /Kosova.info/
