Hadergjonaj kërkon besimin për një mandat të ri: Shërbimi ndaj Kosovës është mision jetësor
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për një mandat të ri në Kuvendin e Kosovës duke theksuar përvojën e tij të gjatë në shërbim të vendit.
Hadergjonaj ka rikujtuar se për gati tri dekada ka qenë në shërbim të Kosovës duke nisur nga uniforma e UÇK-së, për të vazhduar në TMK dhe më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku ka përfunduar karrierën si gjeneral dhe komandant i parë i Forcave Tokësore.
Ai ka theksuar se besimi i qytetarëve e ka çuar edhe në dy legjislaturat e fundit të Kuvendit, ku, sipas tij, ka përfaqësuar qytetarët me përkushtim, përgjegjësi dhe integritet.
“Për mua, shërbimi ndaj Kosovës nuk është profesion i përkohshëm, por mision jetësor,” ka deklaruar Hadergjonaj.
Në mesazhin e tij, ai ka vlerësuar se vendi ka nevojë për stabilitet politik, më shumë bashkëpunim dhe më pak polarizim, si dhe për përfaqësim dinjitoz në institucionet më të larta të shtetit.
Duke kërkuar sërish votën e qytetarëve, Hadergjonaj është zotuar se do të vazhdojë të punojë me nder dhe përgjegjësi në çdo detyrë që i besohet.
Në fund, ai ka bërë thirrje për mbështetje të LDK-së në zgjedhje, me numrin 113, si dhe për kandidaturën e tij me numrin 22. /Kosova.info/
