Hadergjonaj fton për homazhe në 23-vjetorin e rënies së Kolonel Tahir Zemajt dhe familjarëve të tij
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-komandant i betejave të lavdishme të Koshares dhe Loxhës, Fadil Hadergjonaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në homazhet përkujtimore që organizohen me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së Heroit të Kosovës, Kolonel Tahir Zemaj, djalit të tij Enis Zemaj dhe Hasan Zemaj, ish-kryetar i Forumit të LDK-së në Deçan.
Me këtë rast, bashkëluftëtarët dhe vartësit e Kolonel Tahir Zemajt, së bashku me luftëtarët e betejave titanike për çlirimin e Kosovës në Loxhë dhe Koshare, organizojnë homazhe për të nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e tyre për lirinë e vendit.
Homazhet do të mbahen të dielën, më 4 janar 2026 duke filluar nga ora 12:00, në fshatin Strellc.
Në këtë ngjarje përkujtimore janë ftuar familjarë, bashkëluftëtarë, miq dhe qytetarë të shumtë, të cilët me praninë e tyre do të shprehin respekt dhe mirënjohje për kontributin e pavdekshëm të Kolonel Tahir Zemajt, Enis Zemajt dhe Hasan Zemajt në rrugën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Lavdi dhe respekt i përjetshëm për veprën e tyre! /Kosova.info/
