Guximi i Presidentes Vjosa Osmani dhe heshtja qyqare e opozitës!

Shkruan: Florim ZEQA

Me guximin rugovian, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar pohimin e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është më pranë NATO-s se Kosova. Osmani tha se kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s ofendon jo vetëm çdo shtet demokratik por edhe të gjitha viktimat e Serbisë së Millosheviqit. 

Heshtja qyqare e opozitës 

Deklarata e Presidentes: “Serbia është shtet që kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidiale. Është një shtet i cili ka kryer gjenocid, ka kryer krime kundër njerëzimit dhe është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni të them troç, kushdo që e konsideron Serbinë si një shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar viktimat e Serbisë së Millosheviqit e cila është njëjtë sot sikurse ka qenë para disa dekadave”, e cila erdhi pas një pas një interviste të ambasadorit amerikan në Serbi, Kristofer Hill, gjatë një interviste për transmetuesin publik serb, ku ai deklaroi se; “Aktualisht Serbia është më pranë aleancës ushtarake perëndimore sesa Kosova, duke thënë se NATO-ja punon çdo ditë me ushtrinë serbe, mban trajnime dhe ushtrime”.

Për habi, askush nga spektri politik vendor nuk doli në përkrahje të kundërshtimeve të Presidentes Vjosa Osmani ndaj ambasadorit amerikan në Beograd!

Kjo heshtje qyqare e spektrit politik dhe e opozitës në veçanti e dëshmon mungesën e seriozitetit dhe vizionit politik, e tregon nivelit e ulët të politik-bërjes dhe servilitetin e skajshëm ndaj faktorit ndërkombëtar.

Përkrahja e Presidentes në rastin në fjalë do të ishte përkrahje e drejtpërdrejt e shtetit të Kosovës në raport me politikën antishtetërore të disa zyrtarëve perëndimor, të cilët haptas kanë dalë në mbështetje të Serbisë dhe orekseve të saj grabitqare.

Për dallim nga opozita kosovare, i pari dhe mbase i vetmi deri më tani që e kundërshtojë ambasadorin Kristofer Hill, ishte kolegu i tij në Prishtinë, ambasadori Jeffrey Hovenier, i cili tha se “dëshiron të kundërshtojë të gjithë ata që bëjnë krahasime të tilla”, duke shtuar tutje se “Uashingtoni mbështet Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në NATO”. 

Politika shtetërore bëhet me dinjitet dhe integritet të lartë njerëzorë dhe kombëtar, e jo me kauza të rrejshme dhe as me inate personale. Kur është në pyetje interesi i shtetit bien poshtë të gjithë flamujt partiak. Shteti mbi të gjitha partitë dhe ideologjitë.

Go to TOP