Gruaja në Prishtinë në hall nga një 46-vjeçar, e ngacmon vazhdimisht

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.

Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se siguria po cenohet.

Burimet kanë bërë me dije se për një rast të tillë që ka ndodhur dje në Prishtinë, Prokuroria ka nisur hetimet, pas denoncimit të një 31-vjeçareje, e cila ka njoftuar Policinë se është në hall nga një 46-vjeçar, i cili po e ngacmon në vazhdimësi.

Në dëshminë e saj të dhënë në Polici, thuhet se rasti i fundit ka ndodhur pasditen e djeshme, në rrugën “Agim Ramadani” kur i dyshuari ia ka zënë pritën duke e ngacmuar e incizuar, siç ka bërë edhe shumë herë më parë.

Këto raste që i kanë ndodhur vazhdimisht e kanë shqetësuar jashtëzakonisht viktimën, e cila ka lajmëruar menjëherë Policinë.

Pasi Policia është vënë në lëvizje, personi i dyshuar u arrestua dhe shoqërua në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Ngacmim”.

Go to TOP