Griezmann rinovon me Atletico Madrid deri në vitin 2027
Antoine Griezmann ka zgjatur qëndrimin e tij te Atletico Madrid deri në verën e vitit 2027, ka bërë të ditur klubi spanjoll të hënën përmes një komunikate zyrtare.
“Griezmann dhe Atletico kanë arritur një marrëveshje për të rinovuar kontratën e futbollistit francez deri më 30 qershor 2027”, thuhet në njoftimin e klubit madrilen.
Sulmuesi francez, fitues i Kupës së Botës më 2018 dhe njëri nga emrat më të rëndësishëm në historinë e klubit, është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Atletico Madrid, me 197 gola të realizuar në dy periudha të ndryshme. Tridhjetë e katër vjeçari kishte kontratë të vlefshme deri në vitin 2026, por vendosi të vazhdojë edhe për një vit tjetër.
Megjithatë, sezoni 2025 nuk ka qenë ndër më të mirët për të. Ai nuk ka shënuar që nga muaji shkurt, ndërsa Atletico e përfundoi kampionatin në vendin e tretë, pa arritur të fitojë ndonjë trofe.
Griezmann i ishte bashkuar Atletico Madrid në vitin 2014 nga Real Sociedad dhe shpejt ishte shndërruar në lider të skuadrës. Ai gjithashtu ishte protagonist në suksesin e Francës në finalen e Botërorit 2018 ndaj Kroacisë.
Në vitin 2019 kishte kaluar te Barcelona, por aventura në “Camp Nou” nuk rezultoi e suksesshme, duke fituar vetëm Kupën e Mbretit, para se të rikthehej në Madrid si i huazuar në vitin 2021, me transferimin që më vonë u bë i përhershëm.
Këtë verë, Atletico Madrid do të përfaqësojë Spanjën në Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më 15 qershor, në ndeshjen e parë të këtij turneu, do të përballet me kampionin e Evropës, Paris Saint-Germain.
