GLPS: Gjykata Supreme rrëzon pjesërisht Rregulloren e “Prishtina Parking” – fitore për interesin publik

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) – Platformë e Grupit për Studime Juridike, ka njoftuar me kënaqësi se Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar padinë e parashtruar më 10 mars 2025 për shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës. Ky vendim, i marrë më 16 prill 2025 dhe i pranuar nga palët më 5 maj 2025, konsiderohet një fitore domethënëse për mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve.

Gjykata Supreme ka konstatuar se nëntë dispozita të Rregullores së “Prishtina Parking” bien në kundërshtim me Kushtetutën, parimin e ligjshmërisë dhe standardet evropiane për të drejtat e njeriut. Konkretisht, janë shfuqizuar dispozitat që i japin të drejtë ndërmarrjes publike lokale “Prishtina Parking” Sh.A të vendos bllokada në vetura për mos pagesë, të menaxhojë me parkime ilegale, të mos mbajë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara nga stafi i saj, si dhe të kufizojë kohën e qëndrimit për vizitorët në parkingjet rezidenciale apo të imponojë mënyra të vetme të pagesës.

Me këtë aktgjykim, Gjykata ka theksuar se nga data 5 maj 2025, “Prishtina Parking” nuk ka më kompetencë për bllokim apo bartje të veturave, nuk mund të shmangë përgjegjësinë për dëmet e mundshme dhe nuk mund të kufizojë aksesin në shërbimet publike përmes formash të njëanshme teknologjike.

Gjykata gjithashtu ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që të ndërmarrë masa të reja, të ligjshme dhe proporcionale në përputhje me gjetjet e këtij aktgjykimi. CSL ka paralajmëruar se do të monitorojë nga afër zbatimin e vendimit dhe çdo ndryshim të mundshëm të Rregullores duke rezervuar të drejtën për të sfiduar ligjshmërinë e dispozitave të reja, nëse ato bien në kundërshtim me këtë vendim.

Kjo ngjarje shënon një precedent të rëndësishëm për të gjitha komunat në Kosovë në lidhje me menaxhimin e parkingjeve publike dhe respektimin e të drejtave qytetare. /Kosova.info/

Go to TOP