​Gjykata liron dhjetë të dyshuar për manipulim votash në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot ka mbajtur tri (3) seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) të pandehurve.

Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri.

Të pandehurit dyshohen se, secili veç e veç, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka vlerësuar se, në këtë fazë të procedurës penale, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP