Gjykata Kushtetuese vendos që shteti ka dështuar në rastin e Sebahate Morinës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se shteti ka dështuar për të siguruar të drejtën në jetë në rastin e Sebahate Morinës, viktimë e dhunës në familje.

Më 14 mars 2021 ajo u vra nga bashkëshorti, i cili më pas kreu dhe vetëvrasje.

Kushtetuesja ka publikuar sot aktgjykimin lidhur me rastin e parashtruar nga e bija e viktimës, Velerda Sopi, e cila para gjykatës kontestoi “veprimet dhe mosveprimet e shtetit” për rastin në fjalë.

Sebahate Morina ishte viktimë e dhunës në familje, dhe e kishte raportuar bashkëshortin te organet e rendit dy herë, më 10 nëntor 2019 për të cilën procedurat përkatëse ishin zhvilluar nga Stacioni Policor, Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore në Gjilan, dhe më 3 mars 2021 për të cilën procedura ishte zhvilluar në Stacionin Policor në Graçanicë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Aktgjykimi i publikuar sot vë theks në faktin që Gjykata Themelore në Gjilan, kishte zëvendësuar dënimin me burg të bashkëshortit të së ndjerës në dënim me gjobë prej 1.300 euro.

“Pas vlerësimit përkatës për secilin kriter veç e veç, Gjykata konstatoi autoritetet kompetente nuk kanë reaguar menjëherë; nuk kanë bërë një vlerësim të mirëfilltë të rrezikut, dhe i cili duhet të jetë autonom, proaktiv dhe i menjëhershëm; në rrethanat e rastit konkret, dhe marrë parasysh që L.S., tashmë ishte i dënuar paraprakisht për veprën penale të dhunës në familje, ishin në dijeni apo ishin dashur të jenë në dijeni në lidhje me rrezikun e menjëhershëm dhe real për jetën e S.M.-së; dhe nuk kishin ndërmarrë masa parandaluese për të mbrojtur apo parandaluar privimin nga jeta të S.M.-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Mes tjerash, aktgjykimi vuri theks në faktin që Gjykata nuk ka autorizime ligjore për të caktuar kompensim të dëmit për rastet kur konstaton shkelje të dispozitave respektive kushtetuese, por sqaroi që parashtruesja e kërkesës ka të drejtën për të shfrytëzuar mjetet e tjera juridike në dispozicion për realizimin e mëtejmë të të drejtave për kompensimin përkatës në përputhje me gjetjet e këtij Aktgjykimi.

Për këtë rast reagoi edhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook shprehet se ky aktgjykim duhet të shërbejë për institucionet e drejtësisë – me theks për Këshillin Prokurorial për të marrë masa ndaj secilit që ka neglizhuar rastin që fatkeqësisht ka rezultuar me fatalitet për jetën e të ndjerës Sebahate Morina.

Go to TOP