Gjykata e Tiranës sekuestron pasuri prej afro 300 mijë eurove

Gjykata e Tiranës ka sekuestruar pasuritë në emër të një shtetasi 42-vjeçar i cili rezulton i dënuar për drogë në Itali.

Policia bën me dije se në zbatim të vendimit të gjykatës u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 300 mijë euro të cilat përfshinin një automjet, një garazh dhe një njësi tregtare në Selitë.

Materialet në ngarkim të shtetasit në fjalë, i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në emër të shtetasit Gj. (Sh.), Ll., 42 vjeç, dhe të familjarëve të tij”.

“Në zbatim të këtij vendimi u sekuestruan një automjet, një garazh dhe një njësi tregtare në Selitë, vlera e të cilave arrin rreth 300 mijë euro”.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi Gj. (Sh.), Ll., të cilin autoritetet italiane e kanë dënuar me burgim, për trafikim lëndësh narkotike në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.

Go to TOP