Gjilani i shmanget humbjes në frymën e fundit, Ballkani ndalet në Drenas
Dy ndeshjet e fundit të javës së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll, të zhvilluara të hënën pasdite, nuk dhanë fitues.
Gjilani shpëtoi nga humbja para tifozëve të vet në sekondat e fundit të takimit ndaj Dukagjinit, në një përballje direkte për mbijetesë. Skuadra nga Klina kaloi në epërsi në fundin e pjesës së parë, kur Mërgim Pefqeli realizoi në minutën e 45+1. Kur gjithçka dukej se po mbyllej me fitore për mysafirët, kapiteni i gjilanasve Armend Thaqi doli në skenë dhe me një goditje mjeshtërore nga gjuajtja e lirë, në minutën e 93-të, vendosi baraspeshën 1:1. Një gol që jo vetëm i shpëtoi gjilanasit nga humbja, por edhe rriti tensionin në garën për mbijetesë.
Me këtë pikë, Gjilani mban vendin e shtatë me 39 pikë, ndërsa Dukagjini qëndron menjëherë pas me 37 pikë, kur kanë mbetur edhe gjashtë javë deri në përfundim të sezonit.
Ndërkohë, në Drenas, ndodhi befasia, pasi Feronikeli 74, i cili tashmë praktikisht ka zbritur nga elita barazoi me kampionin aktual Ballkanin, 3:3.
Almir Ajzeraj zhbllokoi takimin në minutën e 7-të për Ballkanin, por Sokol Kiqina riktheu baraspeshën në të 23-ën. Eris Abedini e riktheu epërsinë për suharekasit në minutën e 39-të, por Kiqina me një tjetër gol të bukur në fillim të pjesës së dytë barazoi sërish. Ballkani nuk u ndal dhe kaloi në avantazh për herë të tretë me Almir Odën në minutën e 70-të, por as ky gol nuk mjaftoi. Amend Kryeziu i Feronikelit goditi në minutën e 88-të, duke vendosur rezultatin final 3:3 dhe duke lënë Ballkanin me vetëm një pikë.
Ky rezultat është një tjetër goditje për Ballkanin në garën për kampion, pasi tani ndodhet 12 pikë prapa lideres Drita, e cila në rast të fitores në javën e ardhshme ndaj Ferizajt dhe dështimit të Ballkanit ndaj Malishevës do ta sigurojë titullin e kampionit.
