Gjenerali amerikan: Mbi 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur në Ukrainë
Gjenerali amerikan Mark Milley, ka thënë se mbi 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur në luftën në Ukrainë, kurse forcat ukrainase kanë sipas të gjitha gjasave numrin e ngjashëm të viktimave.
“Mbi 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur. Njëjtë sipas të gjitha gjasave është edhe në palën ukrainase”, shtoi Milley.
Shifrat që i tha Milley, janë më të precizet që deri më tani i kanë dhënë Shtetet e Bashkuara, pas më shumë se nëntë muajve luftime të ashpra në Ukrainë.
Milley gjithashtu theksoi se ekzistojnë gjasat që të ndodhin bisedimet që do t’i jepnin fund luftës, dhe se fitorja ushtarake ndoshta nuk mund të jetë në favor të asnjërës palë – pra as Ukrainës e Rusisë.
“Duhet të ketë një njohje reciproke se fitorja ushtarake ndoshta në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk mund të arrihet me mjete ushtarake, dhe për këtë arsye ju duhet t’i drejtoheni mjeteve të tjera”, shtoi gjenerali amerikan, i cili theksoi se “ekziston një mundësi për negociata”.
Këto komente të Milley, vijnë në kohën kur Rusia ka urdhëruar trupat e saj që të tërhiqen nga qyteti i Khersonit në jug të Ukrainës, që është një goditje shumë e madhe për Moskën.
Por, zyrtarët në Kiev kanë reaguar me një dozë kujdesi, duke thënë se pak gjasa ekzistojnë që ushtria ruse të braktisë qytetin me rëndësi strategjike pa vazhduar betejën, e presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja e trupave ruse është dëshmi se Moska ka “probleme të vërteta” në fushëbetejë”.
Comments