Gjendet i vrarë në pishinën e shtëpisë milioneri rus i lidhur me Gazprom

Një tjetër manjat rus është gjetur i vdekur, i pesti deri më tani gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për Yuri Voronov, CEO dhe themelues i kompanisë logjistike Astra Shipping, e lidhur me Gazprom.

Voronov u gjet i vdekur në pishinën e shtëpisë së tij, pranë Shën Pjetërburgut. Siç raporton portali informativ “Baza” përmes kanalit të tij në Telegram, manjati 61-vjeçar rus është qëlluar me armë në kokë.

Ndërkohë, “Daily Mail” siguron se kompania e drejtuar nga Voronov kishte kontrata fitimprurëse me Gazprom në Arktik dhe vuri në dukje se një mosmarrëveshje e mundshme me partnerët e biznesit, ishte shkaku i vdekjes së tij.

Nga ana tjetër, portali i lartpërmendur përfshin versionin e ofruar nga e veja e biznesmenit. Ajo tregonte se biznesmeni besonte se kontraktorët dhe ortakët e tij po e mashtronin. Madje, ajo ka rrëfyer edhe se si u kthye bashkëshorti i saj në shtëpi, më 1 korrik, pas një debati me partnerët e tij të biznesit për humbjen e parave.

Kamerat e sigurisë në shtëpinë e Voronov nuk zbuluan asnjë vizitor që hynte në shtëpi në orët para vdekjes së tij, as në orët pas saj. Kështu, pronari i kompanisë Astra Shipping vdiq në rrethana misterioze pas fillimit të ofensivës ushtarake ruse në Ukrainë dhe ai nuk është i vetmi biznesmen rus me lidhje me kompaninë më të rëndësishme ruse të gazit që ka vdekur.

I pari që vdiq në janar ishte biznesmeni Leonid Shulman, i cili ishte drejtues i shërbimit të transportit Gazprom Invest. Aleksandër Tiukiakov, i cili ishte zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Qendrës së Llogarive të Veçanta të Gazprom, vdiq gjithashtu në fund të janarit. Vasily Melnikov, pronar i kompanisë së furnizimit mjekësor MedStom, u gjet i vdekur në mars, në qytetin e Nizhny Novgorod. Një ngjarje e ngjashme ndodhi në prill me Vladislav Avayev, ish-zëvendës president i Gazprombank, i cili u gjet i vdekur së bashku me gruan dhe vajzën e tij në banesën e tij në Moskë. Jashtë territorit rus, konkretisht në Lloret de Mar (Barcelona), kufoma e ish-menaxherit të kompanisë Novatek, Sergei Protoseniu, u gjet bashkë me gruan dhe vajzën e tij.

Go to TOP