Gjenden mbetjet e gazetarit të zhdukur britanik në pyllin e Amazonës
Mbetjet e njërit prej dy trupave të gjetur në pyllin tropikal të Amazonës janë ato të gazetarit të Mbretërisë së Bashkuar Dom Phillips, ka konfirmuar policia braziliane.
Ata thanë se arritën ta identifikojnë në bazë të të dhënave dentare.
Trupi i dytë – që besohet të jetë ai i ekspertit indigjen Bruno Pereira – është ende duke u ekzaminuar.
Phillips, 57 vjeç dhe Pereira, 41 vjeç, u raportuan për herë të parë të zhdukur më 5 qershor. Në fillim të kësaj jave, një i dyshuar pranoi se kishte varrosur trupat, shkruan BBC.
I dyshuari më vonë u emërua si Amarildo da Costa de Oliveira. Policia tha se ai kishte shpjeguar në detaje se si u vranë të dy burrat përpara se t’i çonte oficerët në vendin ku ishin varrosur trupat e tyre.
Më pas u gërmuan mbetjet njerëzore. Vëllai i të dyshuarit, Oseney da Costa de Oliveira, gjithashtu është arrestuar në lidhje me vrasjet, por mohon çdo përfshirje.
Të premten policia njoftoi se kishte lëshuar një urdhër-arresti për një të dyshuar të tretë – Jeferson da Silva Lima, vendndodhja e të cilit aktualisht nuk dihet.
Pas rrëfimit të të dyshuarit të parë, familja e Dom Phillips tha se ishin “me zemër të thyer”.
Motra e Phillips, Sian Phillips, tha se familja e tij kishte qenë në dijeni se kishte rreziqe, por se vëllai i saj i kishte nënvlerësuar ato deri në një masë.
“Unë mendoj se ai hidhte dritë në gazetari, por ai po ndriçonte një zonë që është një problem global”, tha ajo, duke shtuar se ai kishte dashur të tregonte historitë e njerëzve indigjenë që jetojnë në Amazonë.
Familja e tij po kërkon drejtësi dhe thanë se ishte pothuajse e sigurt se dyshja ishin sulmuar nga njerëz “të përfshirë në peshkim të paligjshëm”, por tha se ajo që ata donin të dinin ishte nëse ata po vepronin vetëm apo me përfshirjen e “njerëzve të tjerë të fuqishëm”.
Policia braziliane tha se nuk besonte se të dyshuarit po vepronin si pjesë e një bande të organizuar kriminale.
“Hetimet tregojnë se vrasësit vepruan të vetëm, pa asnjë bos apo organizatë kriminale pas krimit”, tha policia, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Por grupi lokal i të drejtave të indigjenëve Univaja, i cili luajti një rol qendror në kërkimin e dy burrave, tha se rrethanat sugjeronin të kundërtën – se ka të ngjarë se është e përfshirë një bandë kriminale.