Gjakovë, aktakuzë për tentim-vrasje dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për veprat penale vrasje e rëndë në tentativë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale-vrasja e rëndë në tentativë.

Sipas vendimit të gjykatës, aktakuza është ngritur kundër të pandehurit Sh.A., për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, si dhe për të pandehurin J.M., për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasja e rëndë në tentativë”.

Sipas pikës parë të aktakuzës, ndër tjera cekët se i pandehuri Sh.A, me datë 10.03.2024 në ora 00:13 në Gjakovë, në restorantin “R…”, me dashje ka tentuar t’i privoj nga jeta të dëmtuarit D.S., J.S., dhe F.Zh.,  që të tre nga Gjakova.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173  lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Sipas pikës dy të aktakuzës, ndër tjera cekët se i pandehuri Sh.A., ka mbajtur në posedim të paautorizuar armën, në kundërshtim me Ligjin mbi armët të Republikës së Kosovës.

“Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, thuhet në aktakuzë.

Sipas pikës së tretë të aktakuzës, ndër tjera cekët se i pandehuri J.M., me dashje ndihmon të pandehurin Sh.A., duke ia dërguar mjetin e kryerjes së veprës penale – armën të cilën i pandehuri J.M., e posedonte me leje. Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasja e rëndë në tentativë”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë.

Go to TOP