Girona me krizë të lëndimeve para ndeshjes me Slovan Bratislava
Girona po përballet me një krizë të thellë lëndimesh para përballjes në Champions League kundër Slovan Bratislava.
Trajneri Michel ka njoftuar të hënën se skuadra do të duhet të mbështetet te lojtarët rezervë për shkak të mungesave të shumta, por gjithsesi do të arrijnë të formojnë një ekip të plotë për ndeshjen.
Sulmuesi Abel Ruiz është lojtari më i fundit që i bashkohet listës së gjatë të të lënduarve, që përfshin edhe emra të rëndësishëm si Viktor Tsygankov, Oriol Romeu, Jhon Solis, Portu, Bryan Gil, Pau Lopez dhe Yaser Asprilla. Në total, Girona ka vetëm dymbëdhjetë lojtarë të formacionit të parë në dispozicion për ndeshjen e së martës, që do të luhet në stadiumin “Montilivi”.
“Askush nuk është rikthyer, por gjithsesi kemi njëmbëdhjetë lojtarë për të formuar një formacion startues”, ka thënë Michel në një konferencë për shtyp.
Trajneri i Gironës gjithashtu ka theksuar rëndësinë e veçantë të pjesëmarrjes në Champions League për klubin spanjoll. “Luajtja në Champions League me Gironën nuk mund të jetë thjesht një ndeshje tjetër. Nuk dua të injoroj këtë kompeticion dhe të mos i japim vlerën që ka. Është me shumë meritë ajo që kemi arritur dhe përpjekjet që ka bërë klubi. Duhet ta shijojmë dhe ta vlerësojmë çdo moment. Për mua, nesër është një ditë shumë e veçantë, ashtu siç ishin edhe dy ndeshjet e mëparshme”, është shprehur ai.