Giggs ‘josh’ Cole Palmerin drejt Manchester Unitedit

Legjenda e Manchester United, Ryan Giggs, ka mbështetur idenë e një transferimi të Cole Palmer në “Old Trafford” gjatë afatit kalimtar veror.

Spekulimet për të ardhmen e yllit të Chelsea vazhdojnë të qarkullojnë, edhe pse vetë lojtari ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga klubi londinez këtë verë.

Palmer, i lindur dhe rritur në Manchester, ka qenë tifoz i Manchester United që në fëmijëri, ndërsa idhulli i tij ka qenë legjenda angleze Wayne Rooney. Megjithatë, ai u zhvillua si futbollist në akademinë e Manchester City.

Duke folur në emisionin “Rio Ferdinand Presents”, Giggs dha mendimin e tij për një transferim të mundshëm të Palmerit te “Djajtë e Kuq”.

Sipas tij, United ka nevojë për më shumë lojtarë kreativë përveç Bruno Fernandes, i cili aktualisht mban barrën kryesore në organizimin e lojës.

Giggs theksoi se Palmer mund të përshtatej mirë në krahun e djathtë të sulmit, duke shtuar se skuadra ka nevojë për tre ose katër lojtarë që krijojnë raste vazhdimisht, në mënyrë që sulmuesit të kenë më shumë mundësi për të shënuar.

Ai përmendi gjithashtu edhe emrat e Rasmus Hojlund dhe Benjamin Sesko, duke nënvizuar se Manchester United duhet të ndërtojë një repart ofensiv më kreativ për sezonin e ardhshëm.


Go to TOP