E konfirmon SBASHK: 54.88% e mësuesve ishin për pezullimin e grevës dhe shtyrjen e saj deri në janar

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka publikuar rezultatet e votimit lidhur me vazhdimin ose pezullimin e grevës.
Sipas njoftimit të SBASHK-ut, nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të sindikatës, pro pezullimin të grevës janë deklaruar 54.88 për qind, ndërsa kundër janë deklaruar 45.12 për qind. Mazhoranca janë deklaruar që greva të shtyhet për në janar.

“Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime të lindjes apo pushime pa pagesë. Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%”, thuhet në komunikatën për media të SBASHK-ut.

“Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës (më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%”.

Njoftimi i plotë:

Të nderuara anëtare, të nderuar anëtarë të SBASHK-ut ju drejtohemi sonte duke ju shprehur respektin për qëndrimin dinjitoz gjatë gjithë viteve e dekadave të punës në misionin e shenjtë për edukimin e arsimimin e brezave. Qëndruat dinjitoz e bashkë e në SBASHK edhe gjatë gjithë grevës, që erdhi pa dëshirën tuaj, po për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog e zgjedhje të kërkesave tuaja legjitime. Na fyen e linçuan, por ari nuk përlyhet. Ju ishit dhe mbeteni luftëtarë të dritës kundër errësirës. Të vazhdojmë rrugëtimin Bashkë e në SBASHK.

SBASHK edhe njëherë dëshmoi se vepron duke u bazuar në zërin e anëtarësisë, e jo, siç janë munduar të plasojnë shpifje disa individë a grupacione se vendosin individë të caktuar. Kështu u veprua edhe lidhur me grevën e filluar më 25 gusht.

Këshilli Grevist i SBASHK-ut i është drejtuar anëtarësisë, që nga çerdhet e deri në universitete që të deklarohen se si të veprohet tutje.

Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime tê lindjes apo pushime pa pagesë. Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%.

Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.

Këto shënime do t’i dorëzohen Këshillit Grevist të BSPK-së për t’i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së SPAK dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën, e cila është shpallur nga BSPK.

Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut

Go to TOP