Gërvallës nuk i lejohet vizita në Luginën e Preshevës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nuk është lejuar të vizitojë Luginën e Preshevës.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një përgjigje me shkrim nga MPJD.

“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Paraditën e së mërkurës, drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq i cili kishte planifikuar që sot të vizitonte Kosovën i është ndaluar vizita e tij nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën në datën 15 dhjetor 2021”, thuhet në përgjigje.

Rreth një muaj më parë, shteti i Serbisë ua ka refuzuar kërkesat për vizitë në Luginën e Preshevës katër ministrave të Kosovës, Liburn Aliut, Arbërie Nagavcit, Hekuran Muratit dhe Hajrullah Çekut.

Go to TOP