Gërvalla: Kosova dhe Greqia, në rrugën e forcimit të bashkëpunimit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë Giorgos Gerapetritis, u takuan në kuadër të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York për të biseduar rreth forcimit të partneritetit mes dy vendeve dhe situatës së përgjithshme në Evropë dhe në Ballkan.
Siç thuhet në njoftim, në këtë takim Ministrja Gërvalla nënvizoi përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ekonomik me Greqinë, duke e vlerësuar lart mbajtjen e forumit të përbashkët ekonomik si një platformë për nxitjen e investimeve të ndërsjella dhe krijimin e mundësive të reja për rritjen ekonomike të të dyja vendeve.
“Dy ministrat biseduan edhe rreth bashkëpunimit rajonal në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan si dhe proceset integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.