Gërvalla- BE-së e ShBA-së: Të ndalet Vuçiqi para se të hyjë në luftë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka reaguar lidhur me mbylljen e kufirit Kosovë-Serbi nga serbët e maskuar, ku ka thënë se kanë ndaluar makinat me regjistrim të Gjermanisë dhe nuk po i lënë shqiptarët të kalojnë kufirin.

Gërvalla në një shkrim në platformën ‘X’, ka shkruar se policia e Vuçiqit po e mbështet atë përshkallëzim racist, duke parë dhe duke mos bërë asgjë.

“Kosova do ta mbajë kufirin e mbyllur deri sa të garantohet lëvizja e lirë dhe shqiptarët të sigurohen nga skenat më të këqija të kriminelëve serbë të maskuar, që i ndjekin e kërcënojnë sërish” ka shkruar Gërvalla.

Ajo i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të kundërshtojnë me vendosmëri hapat e ardhshëm përshkallëzues të Vuçiqit. Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka theksuar Gërvalla. /Kosova.info/

Go to TOP