Gecaj nga Parlamenti Studentor: Vendimi i sotëm, lehtësi dhe nxitje shumë e madhe për studentët

Anëtari i Parlamentit Studentor, Arbër Gecaj, ka thënë se është lajm shumë i mirë që nga 1 tetori arsimi i lartë publik do të jetë falas.

“Ne kemi kërkuar vazhdimisht edhe nga qeveria e kaluar dhe nga kjo e tanishmja që gjatë kohës së pandemisë të ketë lehtësira për studentët – lirim nga pagesat. Vështirësitë më të mëdha kanë qenë te studentët e nivelit Master për shkak të shumës më të madhe që paguhet për semestër (150 euro). E kemi mirëpritur shumë këtë vendim dhe mendojmë se do të jetë shumë lehtësi e madhe për të gjithë studentët në këtë kohë pandemie kur e dimë që edhe ekonomitë familjare që e mbështesin studentin për të ardhur në studime në Universitetin e Prishtinës ose universitetet tjera janë goditur”.

“Ky vendim do ta lehtësojë jashtëzakonisht shumë vazhdimin e studimeve për studentët që janë në universitete publike. Përveç vështirësive ekonomike po shohim edhe një trend të rënies të interesimit të studentëve për të studiuar në universitete publike, prandaj mendoj që kjo mund të jetë nxitje që studentët e rinj të mos shkojnë në kolegjet private por të jenë pjesë e universiteteve publike”.

Gecaj, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se shumat për pagesën e një semestri në nivelin Bachelor ose atë Master në universitetet publike kanë qenë simbolike, por ndikimi i pandemisë drejtpërdrejt në ekonomitë familjare e  ka vështirësuar pagesën e tyre.

Go to TOP