Kosova

Bajrami: Lirimi i studentëve nga pagesa ishte nisur nga Qeveria Hoti

Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se ishte Qeveria Hoti ajo që kishte nisur të hartonte vendimin për lirimin nga pagesa e semestrit studentët.

Po ashtu, ajo akuzuar Qeverinë Kurti se nuk po di si të marrë veprime në reformën e arsimit.

“Masa për lirimin nga pagesa e semestrit që e bëri Qeveria Kurti ishte nisur edhe nga Qeveria e kaluar për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 e cila fatkeqësisht sot është edhe me prezente. Sigurisht, se ne nuk jemi kundër që studentët të lirohen nga pagesa e semestrit edhe pse vendimet uniforme për të gjitha shtresat lënë shumë për të dëshiruar (e njëjta ka ndodhur me shtesat e fëmijëve). Mirëpo ajo çka mund të themi është se Qeveria e VV-së nuk po ka kapacitete, ide dhe dije për t’u marrë me veprime të cilat e adresojnë në mënyrë të mirëfilltë reformën në arsim si dhe në fusha tjera”.

Bajrami ka përsëritur se Qeveria Kurti qëllimisht u ka mohuar studentëve afatin e korrikut në universitet publike që të nxisë ata të regjistrohen në ato private.

“Ne mbajmë përgjegjësi Qeverinë dhe pozitën (që kanë zgjedhur anëtaret e Këshillit të Cilësisë) që për herë të parë në historinë e pasluftës u ka mohuar studentëve afatin e Korrikut për aplikim në universitete publike, rrjedhimisht plot fakultete publike nuk kanë arritur t’i mbushin as gjysmën e vendeve të lira. Kjo është bërë me qëllim që studentët të orientohen të IAL (institucionet e arsimit të lartë) privat gjë që edhe ka ndodhur, kjo bëhet edhe më e padrejtë kur e dimë se studentët në IAL privat nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti”.

“Gjithashtu, Qeveria është përgjegjëse pse s’po hapen shkollat dhe s’ka asnjë plan për këtë problem. Qeveria është përgjegjëse pse universiteti më i madh publik në Kosovë s’ka bord drejtues; pse një universitet tjetër publik është pa rektor etj etj”.