Gazetari zbulon bisedën me Berishën për “podcast-in”: Kemi bërë prova…
Gazetari Alfred Lela ka zbuluar në “Now me Erla Mëhillin” bisedën me Sali Berishën për podkastin e tij.
“Ideja, biseda mes doktorit dhe ne bashkëpunëtorëve të tij ka qenë që në shtator. U ulëm dhe janë bërë dy-tre prova,” – u shpreh Lela.
Ai tha se projekti është shtyrë për shkak të ritmit të Berishës dhe punëve të tij të shumta, sidomos tani që ka nisur fushatën dhe është i zënë nga mëngjesi në darkë me këto çështje.
Sali Berisha do të sjellë podkastin e quajtur “Jeta përtej politikës”. Ai ka pranuar që të përballet në një debat me Ramën në podkastin e tij ose në të Ramës të quajtur “Flasim”.
“Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podkast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj. Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podkastin tim apo të tijin. Uroj të gjejë kurajë dhe të pranojë ftesën time,” – tha Berisha.
