Gazetari malazez Vladimir Otaseviç: Paratë që tërhoqi Martin Berishaj ka mundësi shkuan te Albin Kurti

Vladimir Otaseviç është kryeredaktori i medias malazeze “Press” dhe autori i artikullit që lajmëroi bllokimin e xhirollogarive bankare të kompanisë së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.

Otaseviç në një intervistë për Albanian Post ka deklaruar se përveç këtij hapi të ndërmarrë nga Banka Qendrore e Malit të Zi, atje po qarkullojnë informacione se paratë që i tërhoqi Berishaj, ka mundësi të kenë përfunduar në financimin e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Organizata Alternativa Crnagora na ka thënë se kanë informacione jozyrtare rreth asaj se transaksionet nga kompania e Martin Berishajt ‘MB Consulting’ në Mal të Zi janë përdorur për fushatën politike të Albin Kurtit”, ka thënë Otaseviç.

Megjithatë, i sfiduar nga Albanian Post për prova rreth këtij konstatimi, Otaseviç ka deklaruar se aktualisht të tilla nuk ka.

Por, për organizatën që e ka cituar, “Alternativa Mali i Zi”, ka deklaruar se kanë informacione për figura politike në Mal të Zi dhe jashtë, duke pretenduar se aludimet e tyre mund të mos jenë krejt të pabazuara.

“Alternativa Crnagora është organizatë civile në Mal të Zi, dhe kjo organizatë ka shumë informacione për figura politike në Mal të Zi. Kjo organizatë sot na ka thënë se disa prej këtyre transaksioneve kanë shkuar te Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, por nuk kanë pasur dëshmi për këtë. Ata na thanë se kanë disa informacione nga burimet e tyre, por se këto burime nuk janë [publike/zyrtare]”, u shpreh Otaseviç, ish-gazetar i të përditshmes malazeze Vijesti, ku merrej me çështje të drejtësisë.

“Nuk mendoj se është akuzim i plogësht/zbehtë, por autoritet duhet të bëjnë diçka, dhe të reagojnë ndaj këtyre akuzave dhe të flasin me dikë nga organizata Alternativa, por se mbase nuk duan që ato informacione t’ia japin gazetarëve”, tha ai.

AP ka kontaktuar me organizatën politike malazeze në fjalë dhe ndonëse ka marrë përgjigje se deri në fund të ditës do të dërgojnë informacione për pretendimet e tyre, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë dërguar informacione të tilla.

Otaseviç, megjithatë, e sheh me sy dyshues rastin e Berishajt.

“Mendoj se [rasti i Berishajt] është ndodhi problematike. Mendoj se Berishaj ka dashur të fshehë diçka nga autoritetet kur e ka hapur këtë kompani në Mal të Zi, kur e realizoi këtë transaksion prej Serbisë në Mal të Zi dhe prej Malit të Zi në Slloveni”, ka thënë ai.

Kryeredaktori i “Press”, gjatë ditës lajmëroi se Banka Qendrore e Malit të Zi ka bllokuar xhirollogarinë bankare të kompanisë së Berishajt, për shkak të një borxhi prej 31 mijë eurove.

Këto dokumentacione u shfaqën edhe në regjistrat e Autoriteteve Tatimor të Malit të Zi, ku kompania e Martin Berishajt “MB Consulting” listohej si e bllokuar si pasojë e borxhit në fjalë.

Kujtojmë se, media sllovene Tv Planet pati raportuar se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj u deklarua vetëm në Facebook. Mohoi se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj.

Go to TOP