Gastronomët kërkojnë të funksionojnë me kapacitete të plota brenda lokaleve

Qeveria e Kosovës pasditen e sotme ka miratuar masat e reja anti-COVID edhe për sektorin e Gastronomisë. Shërbimet e tyre do të lejohen deri në ora 23:00, ndërkaq muzika në këto ambiente deri në ora 21:30.

Para vendosjes së këtyre masave, Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomëve ka thënë për KosovaPress, se kërkesa e tyre e vetme është zgjatja e orarit të kafiterive, meqë gjendja e tyre nuk është e mirë.

“Kaloj një kohë shumë e gjatë prej kur jemi me masa deri në orën 21:30 dhe ora policore deri në orën 22:00, pa subvencionime. Mirëpo, ne prapë e kuptojmë shtetin tonë që nuk e ka atë buxhet që të na ndihmojë. Kështu që kemi kërkuar realisht edhe kemi qenë të mirë-kuptueshëm ndaj situatës e cila ishte me numra alarmant të pandemisë. Kemi kërkuar që të rritet orari, sepse rastet kanë rënë dhe po shohim që vaksinimi është duke shkuar mirë. Kemi kërkuar të na zgjatet orari dhe të na lejohet të funksionojmë brenda me kapacitet normale”, thotë ai .

Ditë më parë, përfaqësues nga Shoqata e Gastronomëve janë takuar me ushtruesen e detyrës së ministres Shëndetësisë, Dafina Gexha, për të diskutuar rreth masave Anti-COVID. Kllokoqi ka theksuar se duhet të rriten kapacitetet e shërbimeve, meqë edhe qytetarët janë vaksinuar.

“Ne po shpresojmë që kërkesat tona do të aprovohen, sepse në gjithë botën janë duke funksionuar dhe kontrolluar për certifikata të vaksinimit edhe po i lejojnë brenda. Kështu, që fjalët i kemi pozitive sa i përket atyre që na kanë ardhur nga ministria që do të ketë ndryshim të orarit dhe do të rriten kapacitetet, pasi që të vaksinuarit nuk sjellin probleme”, shton ai.

Pothuajse njëjtë po mendojnë edhe qytetarët në kryeqytet. Bajram Maloku kërkon që këto masa të zbuten pas imunizimit me vaksinë anti-COVID.

“Masat normalisht që duhet të largohen tash se po shihen që veç thuajse ka kalu, vaksinat i kanë marrë nuk ka diçka më për çka me u ruajtur. Edhe lëshohet puna ja nisin restorantet hapen, ekonomia zhvillohet ma merr mendja që e udhës me u largu”,

Por me këtë nuk po pajtohet Ragip Latifi, i cili thotë se është mirë që masa të njëjta të vazhdojnë të mbesin në fuqi.

“Nuk kisha thënë me u largu krejtësisht masat, duhet me vazhdu masat edhe pse sot dëgjova që i kanë zbut pak masat. Por mirë është me vazhdu masat”, ka thënë ai.

Bazuar në masat e reja, shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50% e kapacitetit të hapësirës.

Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës.

Go to TOP