Gashi: Kogjenerimi në Obiliq ishte projekt që shumëkush e quante të parealizueshëm, por e bëmë realitet
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Xhafer Gashi me numër 31, ka rikujtuar një nga projektet që i konsideron më të rëndësishme për Obiliqin, atë të kogjenerimit apo ngrohjes qendrore duke theksuar se në fillim ishte pritur me skepticizëm nga shumë qytetarë.
Gashi ka deklaruar se pas Ligjit për Obiliqin, projekti i kogjenerimit ishte iniciativa e dytë madhore që kërkoi angazhim të madh, sqarime të vazhdueshme, takime dhe debate për të bindur qytetarët, donatorët dhe bashkëpunëtorët se mund të realizohej.
Sipas tij, krahas këtij projekti ishte edhe krijimi i Ndërmarrjes Publike “Kastrioti” SH.A., projekte të cilat dikur konsideroheshin të parealizueshme, por që sot janë bërë realitet dhe po u shërbejnë qytetarëve.
“Duheshin orë të tëra sqarimesh, takimesh, prezantimesh e debatesh që qytetarët tanë, por edhe donatorët e bashkëpunëtorët tanë, ta besonin se këto projekte do t’i bënim realitet, njësoj si Ligjin për Obiliqin dhe shumë projekte të tjera që tashmë i gëzojmë bashkë”, ka thënë Gashi.
Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që kjo datë të shënojë, sipas tij, “kthesën e madhe të bashkimit dhe shpresës për zhvillimin e vendit”.
Gashi është zotuar se edhe në Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim që ka treguar deri më tani duke u përshkruar si “fjalëpak e punë shumë”.
Ai garon për deputet në listën e LDK-së me numrin 31, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për LDK-në me numrin 113. /Kosova.info/
