Rajoni

Fushata për zgjedhje lokale e fokusuar në tema nacionale

Në Maqedoninë e Veriut më 27 shtator nis fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Kandidatët do të kenë kohë tri javë që të prezantojnë para qytetarëve programin e tyre zgjedhor për katër vjetët e ardhshme.

Por, njohësit e zhvillimeve politike thonë se në fokus të fushatës do të jetë tragjedia në Tetovë, ku si pasojë e zjarrit në një spital humbën jetën 14 persona, dhe jo problemet komunale.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, që po garon për mandatin e tretë, përmes rrjetit social Facebook, ka njoftuar se ka ftuar kundërshtarët e saj politikë, për të nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi, siç ka theksuar ajo, për një fushatë me ide dhe programe dhe ku do të respektoheshin viktimat e zjarrit të 8 shtatorit.

“Prioritet duhet të mbetet respekti i viktimave dhe hidhërimi që ka pushtuar tërë qytetin tonë. Në këtë drejtim kandidatët për kryetarë komune janë dakorduar për të nënshkruar këtë marrëveshje për një fushatë elektorale të drejtë, ku nuk do të preket tragjedia në Tetovë”, ka shkruar ajo.

Por, koalicioni opozitar, Aleanca për Shqiptarët – Alternativa, i është përgjigjur se ky koalicion do të zhvillojë fushatë me ofertë konkrete për rimëkëmbjen e Tetovës.

Nga kz koalicion kanë thënë se nuk e kanë ndërmend, siç janë shprehur “të heshtin para krimit, korrupsionit, keqpërdorimit e keqmenaxhimit të tetë vjetëve të kaluara dhe kurrë nuk do të rreshtim së kërkuari përgjegjësi aty ku duhet”.

Njohësit e zhvillime politike thonë se sa më shumë të zvarritet zbardhja e shkaktarit të shpërthimit në spitalin e përkohshëm të Tetovës dhe daljes para drejtësisë së personave përgjegjës, aq më shumë kjo çështje do të shndërrohet në temë të fushatës zgjedhore në Tetovë, por edhe në komuna të tjera të Maqedonisë së Veriut.

“Anashkalimi apo hezitimi për të marrë përgjegjësi, qoftë edhe morale, mendoj se nuk është një temë të cilën mund ta injorojmë pavarësisht se bëhet fjalë për zgjedhje lokale. Mendoj se në një rast të tillë, të një tragjedie kaq të madhe është e arsyeshme që të kërkohet përgjegjësi në çdo debat, pavarësisht se kjo temë nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjedhjet lokale”, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i zhvillimeve politike, Ibrahim Mehmeti.

Ndërkaq, në anën tjetër, Vlladimir Bozhinovski, drejtor i Institutit për Kërkime Politike në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se zvarritja e përgjegjësisë në formë të drejtpërdrejtë në krye të listës vendos debatin për mungesën e llogaridhënies së zyrtarëve, duke pasur në fokus tragjedinë në spitalin e Tetovës.

“(Zoran) Zaevi si kryeministër (i Maqedonisë së Veriut, nëse do të dilte me qëndrimin se edhe kundrejt faktit se ai është i bindur që zyrtarët e shëndetësisë, tani në dorëheqje, janë të pafajshëm, se nuk kanë bërë asnjë gabim, por megjithatë po ua pranon dorëheqjet për arsye morale, në atë rast opinioni do të qetësohej. Por, në momentin që ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dha dorëheqje me gjysmë goje dhe ajo dorëheqje nuk u pranua, një luftë e fortë mes oponentëve politikë do të zhvillohet në këtë drejtim, duke i lënë problemet komunale në plan të dytë”, thotë ai.

Lidhur me zjarrin në spitalin COVID-19 në Tetovë dorëheqje kanë ofruar Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, zëvendësministri, Ilir Hasani si dhe drejtuesit e spitalit të Tetovës, por ato ende nuk janë pranuar nga kryeministri, pavarësisht reagimeve të shumta në opinion.

Qytetarët duan projekte konkrete

Ibrahim Mehmeti thotë se qytetarët po kërkojnë nga partitë politike që në zgjedhjet lokale të prezantojnë projekte konkrete dhe jo projekte grandioze, të cilat nuk përkojnë me mundësitë që ofron i buxheti komunal.

“Me kalimin e kohës votuesit kanë filluar të bëjnë dallim mes projekteve të realizueshme dhe premtimeve boshe të cilat tash më shumë vite i kanë parë, por pasi mbeten të parealizuara nuk sjellin ndonjë rezultat për sa i përket cilësisë së jetesës në komunat ku jetojnë. Besoj se tani do të orientohen nga ata kandidat që do të flasin për projekte konkrete në përputhje me mundësitë që i kanë komunat”, thotë Ibrahimi.

Njohësit e zhvillimeve politike nënvizojnë se krijimi i koalicionit parazgjedhore tashmë edhe mes partive shqiptare dhe maqedonase në opozitë, pamundëson hapjen e temave etnike.

Ndryshe, gara më e ashpër për pushtetin vendor zhvillohet mes Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe VMRO-DPMNE-së në bllokun maqedonas, dhe Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Aleancës për Shqiptarët – Alternativa në bllokun politik shqiptar.

Në këto zgjedhje, për 80 komuna garojnë 301 kandidatë, prej tyre 25 janë gra.