Fury rikthehet në ring, sfidon Makhmudovin
Bota e boksit sonte kthen vëmendjen drejt një superpërballjeje në peshat e rënda, ku Tyson Fury rikthehet në ring për t’u përballur me Arslanbek Makhmudov.
Dueli zhvillohet më 11 prill në Tottenham Hotspur stadium në Londër dhe pritet me interesim të jashtëzakonshëm nga tifozët e sportit.
Kjo ndeshje shënon rikthimin e britanikut pas një periudhe të vështirë, të shoqëruar me humbje ndaj Oleksandr Usyk, duke e vendosur atë përballë një prove vendimtare për të ardhmen në elitën e boksit. Fury hyn në këtë sfidë me bilanc prej 34 fitoresh, 2 humbjesh dhe 1 barazimi.
Në anën tjetër, Makhmudov vjen si një nga goditësit më të frikshëm të momentit, me 19 fitore me nokaut në 21 duele gjithsej. Fuqia e tij brutale e bën këtë përballje një test serioz për Fury-n, sidomos pas mungesës së gjatë nga ringi.
Para ndeshjes, Fury është shprehur i motivuar maksimalisht, duke deklaruar se është rikthyer si “gjuetar” dhe duke premtuar spektakël për publikun. Ndërkohë, kundërshtari i tij ka treguar respekt për përvojën e britanikut, por ka theksuar se është gati për sfidën më të madhe të karrierës.
Ky duel shihet si një përballje mes teknikës dhe eksperiencës së Fury-t dhe forcës së jashtëzakonshme të Makhmudovit.
Një fitore për britanikun mund të hapë rrugën për duele të tjera të mëdha, përfshirë një përballje të shumëpritur me Anthony Joshua.
